
Vizita jonë në Kosovë është moment i një krenarie të madhe që na mundëson të shohim çfarë mund të sjellim nga Britania në lëmin e investimeve në këtë vend- ka thënë lartmadhëria e tij, Princi Michael, pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Princi tha se në Britani ruajnë një ndjenjë të veçantë për Kosovën, “siç e kemi dëshmuar me përfshirjen tonë direkte në vendin tuaj gjatë viteve të fundit”. Ai e falënderoi presidentin Sejdiu për mundësinë e ofruar për të hyrë në fillet e asaj që Princit Michael, i është dukur një kombinim interesant i të menduarit dhe të planifikuarit për të mirën e Kosovës dhe të Britanisë.
“Me Princin Michael u dakorduam për ecjen e mëtejshme dhe për mbështetjen që do t’i jepet Kosovës. E falënderoj Princin për mbështetjen e fuqishme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës, si dhe për përkushtimin e saj që Kosova të jetë një vend me zhvillim të shpejtë ekonomik dhe vend i perspektivës së të gjithë qytetarëve”, theksoi presidenti Sejdiu.
Gjithashtu, Sejdiu tha se e vlerëson qëndrimin e Princit Michael për angazhimin dhe ndikimin e tij te vendet mike dhe njerëzit që njeh për shtimin e njohjeve të reja për Kosovën.
_________________________________________________________________________