Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka shkruar letër vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, udhëheqësve të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera evropiane, si dhe udhëheqësve të shteteve dhe të parlamenteve të shteteve të tjera, pas publikimit ditë më parë të raportit të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.
“Kam konstatuar me shqetësim të veçantë raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës në lidhje me të ashtuquajturin trajtimin johuman të njerëzve dhe trafikimin ilegal të organeve në Kosovë. Menjëherë kam shprehur indinjatën e thellë për këtë raport absurd të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare”, thuhet në letrën e Krasniqit.
Ai ka bërë me dije në letër, se akuza të tilla janë hetuar nga prokuroria e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e cila, sipas tij më pas i ka mbyllur këto hetime për shkak të mungesës së provave të bazuara.
“Ky raport bazohet tek deklaratat e papërgjegjshme të ish-kryeprokurores Carla del Ponte, të cilat nuk janë gjë tjetër veç një inkurajim i ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për të revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë, si dhe për të justifikuar dështimin e saj si prokurore, duke mos vënë para drejtësisë kriminelët e njohur të luftërave në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën e ushtruesit të detyrës së presidentit.
Krasniqi ka shprehur bindjen se denoncimi dhe “përgënjeshtrimi i këtyre shpifjeve absurde dhe të padenja do t’i kontribuojë pajtimit midis popujve të rajonit tonë dhe shndërrimit të Ballkanit në një rajon paqeje, stabiliteti dhe sigurie”.
Në fund të letrës, Krasniqi ka thënë se mirëpret mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, që të mos lejojnë adoptimin e këtij raporti si dokument zyrtar të KE-së, me qëllim siç ka thënë të “mbrojtjes së kauzave tona të përbashkëta për liri, të drejta njerëzore, paqe dhe stabilitet”.